LajmetNgjarjet

KONKURS

By January 7, 2014 No Comments

Cmimi për Urbanizëm
Rexhep Luci
“Ide për Prishtinën”

 

A e keni parafytyruar ndonjëherë qytetin e Prishtinës më të mirë e më ndryshe? A nuk iu ka shkuar ndërmend ndonjë ndryshim i vogël apo i madh, i cili do ta lehtësonte dhe përmirësonte mënyrën se si ne e përdorim dhe e shfrytëzojmë qytetin tonë? Sikur të kishit fuqi për ta ndryshuar Prishtinën, çka do të bënit për ta bërë atë më të gjelbër, më të sigurt, më të gjallë, më të bukur dhe më interesante? Eh atëherë, ja ku e keni mundësinë të ndani idetë tuaja dhe ta gjallëroni qytetin! Një ditë, Komuna e Prishtinës mund ti jetësojë ato njëmend!

Kosovo Architecture Foundation (KAF) dhe Komuna e Prishtinës janë duke organizuar këtë konkurs dizajni “Ide për Prishtinën”, me qëllim të grumbullimit të propozimeve të qytetarëve për formësimin e ambienteve ku jetojnë. Meqë qyteti i Prishtinës është duke përjetuar transformime të vazhdueshme, ne dëshirojmë të përqendrohemi në gjenerimin e dizajneve dhe vizioneve nga komuniteti për përmirësimin ose transformimin e hapësirave publike dhe lagjeve të tyre. Këto propozime mund të variojnë nga trotuaret, udhëkryqet, mjetet ndriçuese, reklamat, pasazhet, tunelet, shatërvanët, sheshet, tregjet, parqet dhe hapësirat tjera të gjelbra, fasadat e kulmet e ndërtesave, përdheset e dyqaneve, pikat informuese, pavijonet, ndërtesat e reja publike, e deri në zgjidhje utopike.

Çdokush, qofshin banorë besnik apo vetëm vizitorë të Prishtinës, të çfarëdo moshe, nacionaliteti, apo prapavije profesionale, janë të ftuar të ndajnë idetë e tyre. Ju mund të merrni pjesë në konkurs individualisht ose në grupe me shokët, kolegët, fqinjët apo familjarët tuaj. Intervenimet tuaja të propozuara mund të variojnë nga ato më të voglat e deri në ato më utopike. Ju jeni të lirë të paraqitni idetë tuaja qoftë me dizajne arkitekturale apo urbane, ose edhe me vepra artistike, fotografi, tekste etj. Kejt cka duhet të bëni në dizajnin tuaj është taspecifikoni lokacionin e propozimit tuaj dhe shpjegoni se si ideja juaj do përmirsonte qytetin dhe ndihmoj qytetarët.

Propozimi më i mirë do të shpërblehet me çmimin e parë Rexhep Luci dhe do pranoj shperblim financiar (1000 euro), ndërsa projektet e zbatueshme do mund të realizohen nga Komuna e Prishtinës.

Për kushtet e konkursit ju lutemi drejtohuni në:www.prishtinaarchitectureweek.com

 

TERMAT DHE KUSHTET E KONKURSIT

1. Organizatorët dhe përkrahësit e konkursit

“Ide për Prishtinën” organizohet nga Kosovo Architecture Foundation (KAF) dhe Komuna e Prishtinës gjatë Javës së Arkitekturës në Prishtinë (PAW).

2. Qëllimi i konkursit

Qëllimi i konkursit është stimulimi i qytetarëve në shprehjen e dëshirave dhe ideve të tyre për përmirësimin e qytetit të Prishtinës. Ky konkurs është i hapur dhe vetëm ideor. Idetë e propozuara do të ekspozohen gjatë Javës së Arkitekturës në Prishtinë, ndërsa më vonë do të mbeten pronë e Komunës së Prishtinës për zhvillime të mëtutjeshme.

3. Kushtet për aplikim

Ky konkurs është i hapur për të gjithë, qytetarë lokal apo të huaj, studentë apo profesionistë, të interesuar në përmirësimin e kualitetit të Prishtinës. Aplikuesit mund të marrin pjesë individualisht apo në grupe të përziera.

4. Orari

Afati i fundit për aplikim 01.09.2014
Shpallja e fituesve 11.09.2014

5. Kërkesat për aplikim

Për këtë konkurs nuk janë specifikuar kërkesa të veçanta për aplikim, andaj jeni të lirë të përdorni çfarëdo teknike të prezantimit për të shprehur idetë e juaja. Në dizajnet tuaja ju duhet të specifikoni lokacionin e saktë të intervenimit të propozuar, si dhe të shpjegoni se si ideja juaj do të përmirësojë qytetin dhe do të ndihmojë qytetarët.

6. Juria dhe procesi i vlerësimit

Vlerësimi dhe përzgjedhja e dizajneve më të mira do të bëhet nga një juri e përbërë nga anëtarë vendorë dhe ndërkombëtarë. Anëtarët e jurisë janë: Asa Bruno, Londer; Skye Duncan, Nju Jork, Pippo Ciorra, Romë, Liburn Alia, Prishtinë, Bekim Ramku, Prishtinë. Vlerësimi do të bëhet në fillim të muajit Shtator ndërsa fituesit do të shpallen më 11 Shtator 2014.

7. Çmimet

Ndër to do të ketë një çmim të parë dhe dhjetë çmime të tjera të dalluara. Dizajni më i mirë do të shpërblehet me një vlerë prej 1000 eurove, ndërsa dhjetë propozimet tjera më të mira do të marrin mirënjohje. Propozimet më të realizueshme mund të zbatohen nga Komuna e Prishtinës. Të gjitha propozimet do të publikohen në katalogun dhe do ekspozohen nga KAF-i.

8. Të drejtat autoriale

Të drejtat e dizajnit konceptual do të mbesin tek pjesëmarrësit e konkursit. Megjithatë, në rast se ndonjë nga propozimet zbatohet, KAF dhe Komuna e Prishtinës kanë të drejtën për modifikimin teknik të tyre pa kërkuar autorizime të tjera nga autorët. Gjithashtu ata mund të publikojnë, ekspozojnë dhe përdorin propozimet për aktivitete të marketingut pa ndonjë kompensim. KAF nuk mban përgjegjësi për asnjë plagjiaturë.

Për cfardo shpjegimi shteë ju lutëm drejtohuni tek: info@prishtinaarchitectureweek.com